Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri”

Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” është një nga entet e para botuese shqiptare të periudhës postkomuniste me synim për të përzgjedhur e publikuar vlerat më të spikatura të letërsisë botërore, të letërsisë disidente shqiptare dhe të krijimtarisë së talenteve të reja që janë të rrezikuara të humbasin në kushtet e vështira të ekonomisë së tregut.

Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” u krijua si rezultat i mendimit se kultura, arti, letërsia dhe figurat që i përfaqësojnë, me vlerat e tyre, janë ambasadorët dhe diplomatët më bindës e më rezultativë për paraqitjen dinjitoze të një kombi përballë kombeve të tjera të qytetëruara. Më 27 janar 1992 doli leja nga Ministria e Kulturës për themelimin e këtij enti botues. Ministër aso kohe ishte shkrimtari Vath Koreshi, një ndër përkrahësit e nxitësit e fillimeve letrare të talentit Bilal Xhaferri. Vathi e firmosi gjithë entuziazëm lejen për veprimtari botuese dhe premtoi se do të jepte vazhdimisht përkrahjen e tij dhe të shumë prej miqve të Bilalit.

Atëherë ishte një periudhë kur vepra e Bilal Xhaferrit ishte e harruar. Vlerat e tij ishin të mohuara prej ish-diktaturës komuniste. Ishte detyrë e intelektualëve çamë si Shefki Hysa që të përpiqeshin për lartësimin e veprës së Bilalit dhe të thesareve të folklorit dhe kulturës çame, vlera të mëdha të nëpërkëmbura që ende nuk i njihte publiku shqiptar. Nëpërmjet figurës së Bilal Xhaferrit, talent i jashtëzakonshëm që kishte shkëlqyer si një yll në horizontin e letërsisë shqiptare në vitet ’60 dhe që ishte shuar befas prej goditjes fatale që mori prej ish-diktaturës komuniste, mund të shpaloseshin para shqiptarëve dhe botës së qytetëruar, perlat e mrekullueshme të eposit popullor çam. Duke njohur këto vlera të mahnitshme të Çamërisë, shqiptarët dhe tërë dashamirët e huaj do të zgjonin interesimin dhe do të dashuroheshin pas çështjes çame, si pas një institucioni besimi të rrallë e të shenjtë që u përkiste edhe atyre.

Shtëpia botuese “Bilal Xhaferri” në sajë të aftësive, përkushtimit të madh dhe lidhjeve të shumta me politikën shqiptare e atë ndërkombëtare të shkrimtarit Shefki Hysa, u rrit shpejt dhe po përjetonte dita-ditës një bum botimesh të veprave të zgjedhura nga letërsia botërore, të librave të shkrimtarëve ish të përndjekur politikë si Pjetër Arbnori dhe veçanërisht të talenteve të reja. Stafi i saj bënte të gjitha përpjekjet që djemtë dhe vajzat e reja plot talent, jo vetëm të Komunitetit Çam, të gjenin vetveten në shtëpinë botuese “Bilal Xhaferri”, të afirmoheshin e të mos pësonin fatin e dikurshëm të Bilalit, në periudhën e vështirë të tranzicionit të egër kapitalist që po përjetonte Shqipëria. Në vitet e para të periudhës postkomuniste ishte e vështirë të gjeje mjete monetare për botime librash dhe talentet e reja shihnin një strehë ëndrrash tek ky ent botues, pjesë përbërëse e institucionit Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”…

Në vitin 1993 u arrit të botohej edhe romani “Krastakraus” i Bilal Xhaferrit. Ishte një nga veprat më të realizuara artistikisht me temën dhe problematikën e etnisë shqiptare aq të parapëlqyer prej këtij autori. Botimi u mundësua edhe me ndihmën e intelektuales çame Ballkiz Halili, e cila e kishte ruajtur të fshehur për vite me radhë një kopje të daktilografuar të këtij romani. Ky botim ishte një sukses i madh e i papritur . Më në fund po i paraqitej një vepër nga më dinjitozet opinionit shqiptar, jo thjesht figura e Bilalit, shkrimtarit disident të kacafytur dhëmbë për dhëmbë me ish-regjimin diktatorial shqiptar.

Numri i botimeve u rrit nga viti në vit dhe Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri” luajti një rol të madh për kombëtarizimin e ndërkombëtarizimin e problemit çam tashmë në prag të zgjidhjes.

Ja disa nga botimet më të spikatura të këtij institucioni me vlera kombëtare:

Dashuri fatale“, romancë (1992), Alfred de Musset.
Dashuri e përgjakur (Përtej largësive)“, romancë (1992), Bilal Xhaferri
Lavirja e denjë për respekt“, novela (1992), Jean Paul Sartre
Kur dynden vikingët“, novelë (1992), Pjetër Arbnori
Krisja e zemrës“, poezi (1992), Gjin Progni
Turtullesha dhe djalli“, tregime (1992), Shefki Hysa
Krastakraus (Ra Berati)“, roman (1993), Bilal Xhaferri
Mos ma kujto vdekjen“, poezi (1993), Rudina Hasa
Rebel“, poezi (1993), Shpëtim Roqi
Nata e qiparisave të huaj“, ese (1994), Artur Spanjolli
Bukuroshja me hijen“, romancë (1994), Pjetër Arbnori
Robër të paqes“, roman (1994), Shefki Hysa
Engjëll mëkatar“, poezi (1994), Mirela Rapi
Dosjet e gjalla“, publicistikë (1995), Agim Musta
Pjergulla e lotëve“, poezi (1995), Namik Mane
Kali i përmallimit“, poezi (1996), Arshin Rexha
Yjet e ëndrrave“, poezi (1996), Etleva Shahini
Vorbulla“, roman (1997), Pjetër Arbnori
Parajsa e mallkuar“, roman (1997), Shefki Hysa
Parajsa e shitur“, poezi (2002), Dylbere Dika
Dhe dita vdes“, tregime (2003), Dylbere Dika
Klithmë shpirti“, poezi (2004), Liri Hidërshaj
Aromë Çamërie“, tregime (2004), Shefki Hysa
Mrekullitë e rreme“, tregime (2005), Shefki Hysa
Mëkim shpirtëror“, novelë (2005), Liri Hidërshaj
Për pak lumturi“, poezi (2006), Venka Capa
Rrëfimi“, novelë (2006), Liri Hidërshaj
Dialog për paqen e pamundur“, publicistikë (2006), Hysen Haxhiaj
Pikëllim familjar“, poezi (2006), Mina Çaushi
Me putrat tona shëtitëm botën“, roman (2007), Xhulia Xhekaj
Dodona tempulli i lashtë i Shqipërisë“, artikuj studimorë (2007), Rasim Bebo
Pendimi“, novelë (2007), Liri Hidërshaj
Lotët e trëndafilit“, poezi (2008), Kostaq Myrtaj etj.,etj.

Advertisements
This entry was posted in Pa kategori. Bookmark the permalink.